09:20 / E Diele, 16 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kollçaku i bie pishman, fshin postimin ku përmendte dosjet kriminale të UÇK-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku i ka rënë pishman për postimin që e bëri mbrëmë, ku përmendte dosje kriminale të UÇK-së.

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, intelegjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data. Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, citohet një analist serb nga zyrtarja e VV’së.”, kishte shkruar ndër të tjera deputetja e VV-së.

Postimi i fshirë

Këtij postimi i ka reaguar presidenti i vendit, Hashim Thaçi duke e pyetur deputeten e VV-së: “Çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?”.

“Jam krenar që kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i saj. Ka qenë nderi më i madh në jetën time që ta barti uniformën e UÇK-së dhe të jem Drejtor Politik i saj. Ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo. Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”. E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova. UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë. Po e përsëris: Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe Drejtor Politik i saj. Kjo vetëm sa më bën më të fortë mua dhe gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së. Ne jemi me fat që kemi bindur aleancën më të fuqishme ushtarake të botës, NATO-n, që të na dalë në ndihmë dhe së bashku ta çlirojmë vendin tonë. Çlirimtarë të Kosovës janë të gjithë qytetarët e Kosovës. HTH”, ka reaguar mbrëmë presidenti i vendit.

Nuk ka shkuar shumë dhe deputetja e VV-së i është kundërpërgjigjur presidentit duke thënë që të lexoj postimet e saja deri në fund,

“PËR ATA QË NUK I LEXOJNË POSTIMET DERI NË FUND. INFORMIM PËR KEQDASHËSIT DHE KEQINTERPRETUESIT E NJË CITATI, KU ALBIN KURTI PARAQITET SI RREZIK PËR SERBINË DHE MË GJERË. Një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë të mia, patjetër, por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij. Asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim. PËR TË GJYKUAR KËTË CITAT, ku kinse duke e lavdëruar Albinin, flitet me gjuhën e urrejtjes, e kam cekur në fund: Në fakt të “kërcënuar” mund të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe GJUHËN E URREJTJES. Çdo interpretim tjetër është i qëllimshëm dhe dashakeq, sepse opinionet e mia dihen botërisht, e sidomos për luftën e shenjtë të UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar.”, ka shkruar sot në mëngjes Kollçaku./Indeksonline/