75 Mall Live Search
15:49 / E Enjte, 10 Dhjetor 2020 / k.v

Koloneli Peter Tankink nderohet me medaljen “Urdhëri i Lirisë”

Piloti ushtarak i Forcave Ajrore holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili mori pjesë në sulmet ajrore ndaj caqeve serbe në vitin 1999, u dekorua me medaljen “Urdhëri i Lirisë”. Ceremonia e dorëzimit të medaljes, e cila ishte ndarë nga Presidenti Thaçi, u mbajt në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Hagë. Në ceremoni, përveç Kolonelit Tankink, mori pjesë edhe Admirali Boudewijn Boots, Drejtor i Operacioneve, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes së Holandës.

Në fjalën e tij, Ambasadori Lirim Greiçevci shprehu mirënjohje për kontributin e Holandës për lirinë e Kosovës. Ai tha që ndihet i nderuar që ia dorëzon medaljen “Urdhëri i Lirisë” Kolonelit Tankink, i cili kishte treguar trimëri të pashoqe gjatë fushatës ajrore të NATO-s, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi serb.

Koloneli Tankink, kishte marrë pjesë që në natën e parë të bombardimeve në Kosovë, me ç’rast edhe kishte rrëzuar një MiG-29 serb. Për këtë guxim të treguar në mbrojtje të lirisë së Kosovës, ai e ka merituar mirënjohjen tonë të thellë. Kontributi i tij për lirinë tonë nuk do të harrohet asnjëherë.

Ambasadori Greiçevci shtoi gjithashtu se, përmes nderimit të Kolonelit Tankink, ne shprehim mirënjohje edhe për forcat e armatosura holandeze, institucionet dhe popullin holandez, për kontributin e çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Koloneli Tankink shprehu falenderimin e tij për nderimin, duke evokuar çaste nga fushata e bombardimeve të NATO-s. Ai tha se ishte i nderuar që kishte mundur të kontribuonte për lirinë e Kosovës.

Gjithashtu edhe Admirali Boots shprehu falenderim, në emër të forcave të armatosura të Holandës, për dekorimin e Kolonelit Tankink.

Ditë më parë u bë dorëzimi i medaljes “Udhëri i Lirisë” Gjeneralit Ton van Loon, komandant i parë i KFOR-it holandez. Ceremonia u mbajt në ambientet e Akademisë Ushtarake të Artilerisë, në prani të Admiralit Rob Bauer, Shef i Shtabit të Mbrojtjes të Forcave të Armatosura të Holandës.