75 Mall Live Search
17:52 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / B O

Kolumbia në enigmë për hipopotamët e Pablo Escobar-it

Deri në kohën kur vdiq, “mbreti i drogës” në Kolumbi, Pablo Escobar, kishte arritur të drejtojë një pasuri të madhe. Ai la pas shumë prona duke përfshirë ndërtesa, pallate, avionë privatë, helikopterë, makina luksoze dhe piktura të shtrenjta, shkruan Anadolu Agency (AA).

Por, ndoshta ekscentriciteti më i madh që ai fitoi në jetën e tij ishte një kopsht zoologjik, shtëpi e rreth 1.200 kafshëve ekzotike nga e gjithë bota, përfshirë elefantë, strucë, zebra, deve, gjirafa dhe hipopotamë që ai i mbajti në fermën e tij private “Hacienda Napoles” në zemër të Kolumbisë.

Kafshët u futën në vend përmes kontrabandës në bordin e avionëve të drogës së Escobar-it në vitin 1991.

Pas vdekjes së tij në vitin 1993, shumica e kafshëve u transferuan në kopshtet zoologjike në të gjithë vendin, përveç hipopotamëve. Katër hipopotamë, një mashkull dhe tre femra, mbetën sepse nuk mund të kapeshin dhe të transportoheshin.

Mijëra kilometra larg mjedisit të tyre në Afrikë, hipopotamët filluan të shumohen lirshëm në Kolumbinë tropikale.

Tre dekada më vonë, ata kanë lëshuar fermën “Hacienda Napoles” dhe janë përhapur rreth 100 milje në lindje të qytetit Medelin në Departamentin Antioquia, duke u shpërndarë rreth pellgut të lumit Magdalena përderisa popullimi i tyre vazhdon të rritet në vazhdimësi.

Isabel Naudin është drejtoreshë mjekësore e organizatës joqeveritare “Animal Balance”, që përqendrohet në kontrollimin e popullatës së kafshëve pa i hequr qafe ato. Ajo punon për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet për t’u kujdesur dhe për të respektuar këto kafshë të huaja në jetën e kafshëve të egra të vendit.

“Në fillim njerëzit që i panë ata ishin të frikësuar nga hipopotamët. Shumë as nuk e dinin çfarë lloj kafshe ishte, sepse ata nuk kishin parë diçka të tillë në jetën e tyre”, thotë Naudin për AA.

Megjithëse nuk ka të dhëna të disponueshme, Naudin thotë se me gjasë janë 80 deri në 100 hipopotamë në vend, ndërsa sipas një studimi të fundit nga Instituti Humboldt në dhjetë vite mund të ketë 150 hipopotamë. Ajo thekson se autoritetet kolumbiane nuk e dinë fare se çfarë të bëjnë me ta.

Shumë shkencëtarë thonë se hipopotamët kolumbianë duhet të hiqen qafe sepse po çekuilibrojnë ekosistemin, duke konkurruar me jetën e kafshëve dhe duke ndotur rrugët ujore lokale. Ekspertët thonë se pa grabitqarë natyralë, të tillë si luanët ose krokodilët, kontrolli njerëzor, thatësira ekstreme dhe gjuetia, hipopotamët do të riprodhohen me shpejtësi.

Hipopotamët po ashtu konsiderohen si një nga kafshët më agresive në botë.

Megjithëse hipopotamët nuk i përkasin territorit kulumbian, Naudin thotë se ata kanë qenë në këtë territor për një kohë të gjatë.

“Territori i pushtuar nga hipopotamët tashmë është modifikuar nga njerëzit. Nuk ka asnjë raport zyrtar se ata po zhvendosin speciet vendase. Në fakt, ka studime që sugjerojnë se ndikimi i hipopotamëve në mjedis është i ngjashëm me atë të bagëtive që kullosin në të njëjtën zonë”, tha Naudin.

Vendas të tillë si Isabel Romero thonë se speciet i kanë sjellë më shumë përfitime rajonit dhe se ata kënaqen kur jetojnë me këta fqinjë të çuditshëm.

“Ata janë rojet e lumit dhe nuk lejojnë që peshkatarët të peshkojnë me dinamit. Ata kanë përhapur një turizëm të natyrës dhe lumit në rajon, duke sjellë një bollëk ekonomik. E vërteta është se bagëtia, minierat dhe shpyllëzimet janë kërcënime më të mëdha se këto kafshë që kalojnë para shtëpive tona duke tundur bishtin”, thotë Romero.

Organizata “Animal Balance” mbron jetën e tyre, në kundërshtim me atë që rekomandojnë shumica e ekspertëve. Naudin thotë se alternativa më e mirë është një plan i kontrollit të lindjeve që konsiston në injektimin e tyre me kimikate sterilizuese.

Megjithatë, sterilizimi i këtyre kafshëve të mëdha nuk është detyrë e vogël, sepse ato mund të qëndrojnë në ujë për orë të tëra dhe gjurmimi i tyre mund të jetë një sfidë. Ky është një proces i shtrenjtë dhe të gjitha entitetet përgjegjëse pretendojnë se nuk kanë burime për ta bërë atë.

Përderisa ekspertët janë të zhytur në këtë diskutim, popullata e hipopotamëve vazhdon të rritet me një ritëm të paparë, një problem që pakkush dëshiron ta trajtojë sepse zgjidhja, cilado që të jetë ajo, do të jetë radikale dhe shumë jopopullore.