Komandant Calit nuk i lejohet të vizitojë babain e sëmurë, reagon OVL-UÇK-ja
Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së ka shprehur shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij.
Sipas OVL-UÇK-së, babai i komandant Calit ndodhet në gjendje kritike shëndetësore.
“Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor. Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut.
Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda” thuhet në reagim.
Nga kjo organizatë thonë se drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi.

