Komandanti i FSK-së priti në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Fillimisht, gjeneral Jashari e falënderoi ambasadorin Hargreaves për kontributin e tij në përkushtimin dhe mbështetjen strategjike të treguar për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimin e deritashëm të FSK-së, planifikimet për të ardhmen si edhe për synimet e avancimit të marrëdhënieve bilaterale ushtarake ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
Në fund të takimit ambasadori Hargreaves falënderoi gjeneral Jasharin për profesionalizmin e treguar në udhëheqjen e FSK-së. Kurse gjeneral Jashari falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së gjatë të gjitha fazave të ngritjes së saj.