75 Mall Live Search
13:52 / E Premte, 19 Mars 2021 / OSH

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama për vizitë zyrtare në Republikën e Italisë

Me ftesë zyrtare të homologut të tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ishte për vizitë zyrtare katërditore në Republikën e Italisë. Me këtë rast, me nderimet më të larta ushtarake, ai u prit nga autoritetet më të larta ushtarake italiane.

Në takimet përkatëse u diskutua për format e implementimit të planit të veprimit në kuadër të bashkëpunimit bilateral midis dy forcave.

Gjenerali Rama, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të shtetit dhe forcave italiane për rolin e tyre të madh në kuadër të misionit të KFOR-it në përgjithësi si edhe për kontributin e madh për ndërtimin, zhvillimin dhe arritjet e deritashme të FSK-së, në veçanti.

Gjithashtu, gjenerali Rama i njoftoi me progresin e FSK-së në realizimin e Planit gjithëpërfshirës të transicionit, kapaciteteve aktuale dhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar nevojën dhe rëndësinë e mbështetjes nga pala italiane në këtë aspekt.

Me këtë rast ai, theksoi objektivin strategjik për të ndërtuar forcat tona sipas standardeve më të avancuara dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve të NATO-s, për të qenë kompatibile për operacione të përbashkëta paqeruajtëse.

Nga autoritetet italiane, u vlerësuan lart arritjet e deritashme të FSK-së si forcë profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës si edhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Në fund të dyja palët u pajtuan që bashkëpunimi midis dy forcave të thellohet dhe intensifikohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët.