09:33 / E Mërkurë, 20 Shtator 2023 / AR

Komandanti i KFOR-it nga Beogradi: Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe dhe stabilitet

Gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, më 19 shtator në Beograd u takua me gjeneralin Milan Mojsilovic, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e KFOR, ata diskutuan për situatën e sigurisë në Kosovë “dhe rëndësinë e ndërveprimit dhe bashkëpunimit efektiv ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe shefit të mbrojtjes serbe.”

Sipas komunikatës, Komandanti i KFOR-it nënvizoi kontekstin e brishtë dhe falënderoi gjeneralin Mojsilovic për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm.

Po ashtu bëhet e ditur se gjeneralmajor Ristuccia zhvilloi edhe një takim në Beograd me ambasadorët e BE-së dhe QUINT-it, të organizuar nga ambasadori italian, Luca Gori.

“Ambasadorët shprehën vlerësimin e tyre për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet, bazuar në mandatin e tij të OKB-së.”, thuhet në komunikatën e KFOR-it

Më vonë gjatë ditës, komandanti i KFOR-it iu drejtua mediave lokale, ku nënvizoi se si mandati i KFOR-it XXVII u karakterizua me menaxhim të përhershëm të krizës dhe se sulmet e paprovokuara ndaj trupave të NATO-s në veri të Kosovës më 29 maj 2023 paraqesin momentin më të madh të tensionit në dekadën e fundit.

“Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë një paqe dhe stabilitet të pakthyeshëm në zonë. Kjo është arsyeja pse NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, citohet të ketë thënë t gjeneralmajor Ristuccia.