09:19 / E Enjte, 20 Prill 2023 / AR

Komandanti i KFOR-it para zgjedhjeve në veri: Do të reagojmë nëse prishet qetësia

“KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij dhe është plotësisht i përgatitur, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, të veprojë, nëse kërcënohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes, për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën, si dhe në dobi të stabilitetit rajonal”, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ai këtë mesazh e dërgoi nga Brukseli.

Gjenerali Ristuccia, u takua në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Aleance Mircea Geoana, si dhe me të gjithë ambasadorët e anëtarëve të NATO-s dhe partnerët e vendeve të tjera që kanë trupa në KFOR.

“Ata theksuan mbështetjen e tyre të fuqishme për misionin në këtë udhëkryq të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Ristuccia në një video që misioni i udhëhequr nga ai ua ka ofruar mediave.

Nga Brukseli, Ristuccia edhe një herë përshëndeti Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Tani është thelbësore që të dyja palët të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre plotësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shmangin zhbërjen e arritjeve të rëndësishme që tashmë janë bërë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka theksuar se ai si komandant i KFOR-it do të vazhdojë të luajë rolin e tij në mbështetjen e përpjekjeve që synojnë krijimin e sigurisë së përhershme për gjeneratat e ardhshme.

“Këtë do ta bëj në koordinim të plotë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë BE-në, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organeve të saja të sigurisë”, ka thënë Ristuicca.

Takimi që Ristuicca ka mbajtur në Bruksel me udhëheqësit më të lartë të NATO-s është zhvilluar tri ditë para mbajtjes së planifikuar të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

Serbët kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, ndërsa autoritetet kosovare konfirmojnë se zgjedhjet do të mbahen.

Në margjinat diplomatike, çështja e zgjedhjeve konsiderohet të jetë një çështje e nxehtë politike dhe e sigurisë.