75 Mall Live Search
21:13 / E Enjte, 22 Janar 2026 / F.R

Komandanti i KFOR-it takohet me Pecin në Mitrovicën e Jugut, diskutohet situata e sigurisë

Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, në ambientet e komunës.

Sipas njoftimit të KFOR-it, diskutimet janë fokusuar në situatën e përgjithshme të sigurisë si dhe në çështjet që prekin komunat dhe qytetarët. Gjeneralmajor Ulutaş theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan IndeksOnline.

“KFOR ka rikujtuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me qëllim kontribuimin në siguri, stabilitet dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë”, thuhet në njoftim.

Misioni i KFOR-it thekson se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e vet si reagues të sigurisë./IndeksOnline/