75 Mall Live Search
14:24 / E Martë, 03 Qershor 2025 / MSH

Komandanti i KFOR-it takohet me zyrtaren e NATO-s, flitet për gratë, paqen dhe sigurinë

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, u takua sot me përfaqësuesen speciale të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për gratë, paqen dhe sigurinë, Irene Fellin.

Takimi zuri vend në selinë e KFOR-it në “Camp Film City”, në Prishtinë.

Në një njoftim zyrtar, KFOR-i bën të ditur se bisedimet kanë qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të shkëmbyer pikëpamje mbi mënyrën e zbatimit më të mirë, edhe në sferën e misionit të KFOR-it, të agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Takimi i sotëm vjen një javë pas konferencës së KFOR-it mbi gratë, paqen dhe sigurinë, të mbajtur në Selanik, më 27 dhe 28 maj.