23:23 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2024 / S Z

Komandanti i KFOR-it takon ambasadorët, flasin për sigurinë në vend

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas është takuar sot me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe shefin e EULEX-it, gjeneralmajor Giovanni Pietro Barbano.

“Ata shkëmbyen mendime për disa tema, duke përfshirë aktivitetet e KFOR-it, bashkëpunimin e KFOR-it me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për sigurinë, në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it të publikuar në Facebook.

Major Gjenerali Ulutas theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitet në rajon.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit-EULEX, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet më tej në njoftim.