Komandanti i KFOR-it viziton selinë e EUFOR-it në Sarajevë, diskutohet bashkëpunimi për sigurinë në Kosovë
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në selinë e misionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë (EUFOR-Althea), në kampin Butmir të Sarajevës.
Gjatë takimit me komandantin e EUFOR-it, gjeneralmajor Florin-Marian Barbu, dhe zëvendëskomandantin e këtij misioni, gjeneral brigade Uberto Incisa di Camerana, është diskutuar për mbështetjen që KFOR-i ofron për sigurinë në Kosovë, rolin e tij në forcimin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me EUFOR-in dhe Shtabin e NATO-s në Sarajevë.
Sipas njoftimit, palët kanë vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta stërvitore dhe të koordinimit të ngushtë ndërmjet dy misioneve. Gjeneralmajor Ulutaş ka rikonfirmuar përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me EUFOR-in si pjesë e përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.

