19:59 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Komandanti i Njësisë Speciale: Lamtumirë trim, prehu në paqe hero i luftës dhe lirisë për Kosovën që aq shumë e deshe

Pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi iu dha sot lamtumira e fundit, me nderimet më të larta shtetërore.

Komandanti i Njësisë Speciale, Amir Gërguri ka përkujtuar Thaqin, duke thënë se ai ishte shembull i njeriut të mirë, të ndershëm, të dashur, trim e punëtor dhe se dhimbja dhe humbja janë shumë të mëdha, jo vetëm për familjarët por edhe për Policinë e Kosovës dhe për gjithë vendin.

Gërguri tha se kolegët, por edhe të gjithë ata që e njohën Samiun sot ndihen krenarë për këtë njeri të madh, transmeton Indeksonline.

Komandanti Gërguri shtoi se Samiu edhe gjatë kohës sa kishte shërbyer në Njësinë Speciale Operative ka qenë ndër policët më të dalluar dhe se ishte i pakompromis kur bëhej fjalë për të drejtën dhe të mirën e këtij vendi.

Ai theksoi se kjo ditë me dhimbje duhet të jetë edhe ditë reflektimi, për ta kuptuar që duhet të investohet më shumë, të krijohen kushtet e duhura për punë dhe trajtim dinjitoz policëve ashtu siç edhe e meritojnë.

Postimi i plotë i Komandant Gërgurit:

Lamtumirë trim,

Sot, e përcollëm për në banesën e fundit mikun tonë, kolegun tonë, njeriun e luftëtarin e madh, Sami THAQIN, i cili dha jetën e tij, duke mbrojtur e punuar në shërbim të qytetarit!

I ndjeri, ishte shembulli i njeriut te mirë, të ndershëm, të dashur, trim e punëtor, prandaj edhe dhimbja edhe humbja janë shumë të mëdha. Vdekja e Samiut, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për Policinë dhe për të gjithë Kosovën.

Edhe ne si kolegë, por edhe të gjithë ata që e njohën Samiun, sot ndihemi krenarë për këtë njëri të madh, për kohën që punuam dhe kaluam me të. Ne sot i kemi dhënë lamtumirën e fundit atij, por bashkë me të edhe premtimin që do ta ndjekim rrugën e tij, në ndjekje të keqës dhe krimit, do t’i jetësojmë idealet e tij dhe të heronjëve tjerë, që dhanë jetën duke mbrojtur rendin, ligjin dhe shtetin tonë. Samiu edhe përgjatë kohës sa ka shërbyer në Njësinë Speciale Operative, ka qenë një ndër policët më të dalluar. Ai ishte i pakompromis kur bëhej fjalë për të drëjtën dhe të mirën e këtij vendi. Ishte luftëtar i madh i të keqës, dhe ai këtë e bëri deri në frymën e tij të fundit, duke e dhënë jetën që ky vend e kjo shoqëri të shëndoshë, të ketë një të ardhme të mirë e të sigurt!

Ne, asnjëherë nuk do të harrojmë që kjo liri dhe siguri që e gëzojmë , është në saje të heronjëve sikur SAMIU dhe shokët të tij. Ata janë hernonj të luftës e të lirisë!

E sot, kjo ditë me dhimbje duhet të jetë edhe ditë reflektimi, për ta kuptuar që duhet të investohet më shumë, të krijohen kushtet e duhura për punë, dhe trajtim dinjitoz policëve , ashtu siç ata e meritojnë, dhe të mos kemi raste të tilla më, e që edhe shumë familje tjera të mos mbesin pa më të dashurit e tyre. Duhet reflektim dhe një vetëdijsim për për pergjëgjesitë qe kemi karshi kolegeve të Samiut dhe të ardhmës të tyre dhe të kësaj organizate. Të mos t’i harrojmë përgjegjësitë ndaj këtyre njerëzve që çdo ditë u rrezikohet jeta!

Të dashur familjarë të SAMIUT, kolegë të dashur më lejoni t’i shpreh ngushëllimet e mia, dhe të ju them nuk jeni të vetëm në dhimbjen tuaj, ne bashkëndjejmë me ju!

Lamtumirë trim,

Prehu në paqe hero i luftës dhe lirisë për shtetin/Kosovën që aq shumë e deshe!