75 Mall Live Search
22:27 / E Martë, 03 Shtator 2019 / indeksADMonline

Kombëtarja me atmosferë të shkëlqyeshme, Ujkani e Aliti besojnë në vazhdimin e serisë pozitive

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sonte stërvitjen e dytë në prag të ndeshjeve për kualifikimet Euro 2020 kundër Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe kundër Anglisë, më 10 shtator në Southampton.

Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Bernard Challandes kishte në shërbim të gjithë futbollistët në të cilët llogaritë për këto dy takime shumë të rëndësishme. Dardanët punuan me intensitet të lartë, derisa atmosfera në ekip është shumë e mirë.

Gjatë 90 minutave stërvitje Challandes dha këshillat e tij për lojën që duhet aplikuar kundër ekipit çek, teksa provoi edhe skema të ndryshme taktike, duke filluar nga vija e fundit e deri në fazën ofanzive.

Gjendja e të gjithë futbollistëve është shumë e mirë dhe fatmirësisht intensitetit e stërvitjes së sotme e kanë kaluar pa problem që të gjithë. Stërvitjen e sotme nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri.

Pas stërvitjes në konferencë për media u paraqitën portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët shprehën entuziazmin e tyre për këto dy ndeshje, teksa e vlerësuan Çekinë si rivale shumë të fortë.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, pasi Çekia besoj se është kundërshtari më i fortë pas Anglisë dhe e kemi konkurrent direkt për vendin e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe të vazhdojmë ritmin pozitiv. Ky ekip ka shumë talente dhe niveli i lojtarëve është rritur shumë. Kemi mungesa të shumta, por do të japim maksimumin për të kompensuar mungesën e tyre”, ka theksuar Ujkani, i cili po ashtu u shpreh i lumtur që është kthyer në Serie A, pasi dje e ka nënshkruar kontratën me Torinon.

Ndërkohë, Fidan Aliti  vlerësoi rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, derisa theksoi se duhet të kenë kujdes në repartin e mbrojtjes dhe të shmangin ndërprerjet në afërsi të zonës.

 “Çekia ka shumë eksperiencë dhe lojtarë të mirë në ekip, ndaj i shoh si kundërshtarët tanë direkt për vendin e dytë, ndaj edhe takimi përballë tyre është shumë i rëndësishëm. Megjithatë luajmë në shtëpinë tonë dhe para tifozerisë tonë, ndaj besoj se do të marrim rezultat pozitiv. Janë lënduar shumë lojtarë, por nuk është problem, pasi të gjithë që janë këtu kanë ardhur për shkak të kualitetit e cilësisë dhe do të jenë të gatshëm të bëjnë më të mirën. Duhet të kemi kujdes në gjuajtje standarde, prandaj nuk duhet t’ua japim rastin gjuajtje nga ndërprerja.