22:14 / E Martë, 04 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kombëtarja U21 kompletohet për përballjen me Irlandën

Kombëtarja U21 e Kosovës ka vazhduar me përgatitjet për ndeshjen kundër Irlandës.

Në stërvitjen e sotme që u mbajt në fushën e 2 Korrikut në Prishtinë, përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi tashmë janë bashkuar me grupin edhe Valmir Sulejmani, Florent Hasani e Mirlind Daku, derisa lajm i mirë për përzgjedhësin Prekazi është fakti që pasdite ekipit i është bashkuar edhe kapiteni Ardian Ismajli, i cili në dy ditët e para ishte i grumbulluar me Kombëtaren A, por me marrëveshje me përzgjedhësin Bernard Challandes, qendërmbrojtësi i spikatur erdhi për ta ndihmuar Kombëtaren U21 në ndeshjen tejet të rëndësishme të së premtes në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Edhe gjatë seancës së sotme vërehej një atmosferë shumë e mirë në ekip, ku të gjithë po punojnë me përkushtim për të qenë sa më të përgatitur për duelin me irlandezët.

Në stërvitjen e sotme për shkak të lëndimit në këmbë Muharrem Jashari ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër, me disa ushtrime të lehta nën përkujdesjen e fizioterapeutit Feim Gashi, sikurse edhe sulmuesi Valmir Sulejmani, i cili ka bërë vetëm rixhenerim, pasi ka luajtur një natë më herët me skuadrën e tij.

Në seancën e sotme Prekazi u përqendrua në lojën taktike si dhe në fazën sulmuese, derisa forma e lojtarëve është jashtëzakonisht e mirë.

Deklaruan pas stërvitjes:

Rafet Prekazi: Atmosfera është e jashtëzakonshme dhe djemtë po punojnë me vullnet të madh. Çdo ndeshje është e vështirë dhe kyçe në kualifikimet e Evropianit. Gjithmonë duhet të japësh maksimumin pasi kundërshtarët janë shumë cilësor. Për fat të mirë kjo gjeneratë deri më tash ka treguar lojëra të shkëlqyeshme. Pres që paraqitje të tillë të kenë edhe kundër Irlandës. Këta djemë e kanë obligim që për Kosovën ta japin 120 përqindshin e tyre. Këtu funksionojmë si një familje dhe të gjithë punojmë si grup dhe kështu do t’i çasemi edhe ndeshjes kundër Irlandës.

Lirim Mema:  Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Të gjithë po e japim maksimumin dhe jemi të gatshëm për ndeshje. Trajnerët po na japin motiv të madh, derisa ne po punojmë me vullnet të madh. Kundër Irlandës duhet të japim maksimumin që fitojmë dhe t’i mbajmë gjallë shpresat për kualifikim në Evropian. Edhe lojtarët e rinj janë ambientuar lehtë  dhe tash mbetet që edhe ata të japin maksimumin dhe t’i kallxojnë vlerat e tyre.

Meriton Korenica: Atmosfera në Kombëtaren U21 si zakonisht është e shkëlqyeshme. Edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur janë familjarizuar shpejtë me të gjithë dhe tash na mbetet vetëm ta përgatisim sa më mirë ndeshjen e së premtes. Normalisht se kundërshtari është shumë i fortë, por besoj se do ta japim maksimumin dhe nuk do t’i zhgënjejmë tifozët tanë.

Kushtrim Shabani: Kemi një ekip shumë cilësor dhe po përgatitemi me vullnet të madh për duelin kundër irlandezëve. E dimë se kemi përballë një kundështar shumë të fortë dhe konkurrent për vendin e dytë, por ne hyjmë me dëshirë dhe vullnet për të arritur fitore. Deri tash gjithçka po shkon si duhet dhe pres që edhe në ditën e ndeshjes të jemi në formë të mirë.