75 Mall Live Search
13:52 / E Premte, 04 Tetor 2019 / indeksADMonline

KOMF-ja kërkon nga partitë politike, që të adresojnë nevojat e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) iu është adresuar partive politike duke iu rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato, përcjellë KosovaPress.

KOMF-ja nëpërmjet një dokumenti “Një kryeministër për fëmijët”, ka kërkuar adresimin e problematikave kyç të fëmijëve në Kosovë, që kërkojnë zgjidhje emergjente.

Si koalicion me mision mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, KOMF-ja ua ka rikujtuar politikanëve nevojat kryesore të fëmijëve.

Nëpërmjet këtij dokumenti, KOMF-ja ka kërkuar që asnjë fëmijë të mos kryejë punë të rënda; të investohet në zhvillimin në fëmijërinë e hershme; të aplikohen masat për zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve; që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje në shërbime shëndetësore, sociale dhe arsimore; të mbrohen fëmijët nga duhani dhe drogat, përmes zbatimit të legjislacionit dhe aplikimit të programeve parandaluese; si dhe që të investohet në avancimin e formave të mbrojtjes për fëmijët pa kujdes prindëror.

“Në Kosovë 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme për të mbajtur familjen. 61.4% e fëmijëve kanë pësuar nga dhuna psikologjike apo ndëshkimi fizik. Vetëm 4.5 % e fëmijëve janë të përfshirë në institucione parashkollore të licencuara. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet. Duhani dhe drogat po rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve. Shumë fëmijë pa kujdes prindëror, viktima të abuzimit kanë nevojë për strehim dhe shërbime”, thuhet në këtë dokument.

Në vijim mund të shiheni përmbajtjen e plotë të dokumentit.