Komisionerja Marta Kos akuzohet për bashkëpunim me UDB-n jugosllave
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është përfshirë sërish në akuza se ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave, e njohur si “UDB”.
Këto akuza dolën pas promovimit të librit me titull “Komisionerja” të autorit slloven Igor Omerza, më 10 mars, në ambientet e Parlamentit Evropian.
Siç shkruan REL, sipas autorit, dokumentet e paraqitura në libër tregojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.
Promovimin e organizoi eurodeputetja sllovene Romana Tomc, anëtare e Partisë Popullore Evropiane, grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian.
Menjëherë pas promovimit, Tomc i dërgoi një letër Komisionit Evropian, duke iu referuar përmbajtjes së librit.
“Dokumentet e reja sugjerojnë se Marta Kos, si kandidate, ka gënjyer para komitetit parlamentar të Parlamentit Evropian, pasi ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave”, thuhet në letrën e Tomc, e publikuar në rrjetet sociale.
Ajo pyeti Komisionin Evropian nëse është e informuar për këto akuza të reja, nëse ka ndërmend t’i verifikojë dhe cilat masa planifikon të marrë për të parandaluar mundësinë që Marta Kos të ketë gënjyer gjatë intervistës në Parlament, duke pasur parasysh se Komisioni është i obliguar të respektojë standardet më të larta të integritetit.
Megjithatë, Guillaume Mersier, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështjet e zgjerimit, mohoi se Komisioni ka marrë këtë letër.
“Komisionerja Kos ka kaluar një proces të gjatë dhe të hollësishëm verifikimi për t’u bashkuar me Kolegjiumin. Parlamentit Evropian i është miratuar emërimi i saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionerët. Komiteti për Çështjet Ligjore të Parlamentit ka shqyrtuar deklaratën e saj të interesave dhe nuk ka gjetur konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme,” deklaroi Mersier.
Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (UDB, e njohur si Udba) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1946, por në vitin 1966 u riemërua në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore.
“Udba” është e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa pjesa më e madhe e aktivitetit të saj në dekadat e mëvonshme ishte e përqendruar në mbikëqyrjen dhe eliminimin e individëve në diasporë të cilët konsideroheshin kundër interesave të Jugosllavisë.
Akuza se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë dëgjimeve për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate sllovene për komisionere evropiane.
Kos i kishte mohuar këto akuza dhe i kishte cilësuar si dezinformata.
Zëdhënësi i Partisë Popullore Evropiane konfirmoi për mediat se eurodeputetja Romana Tomc i kishte informuar hollësisht popullorët evropianë për zbulimet më të fundit në lidhje me komisioneren Marta Kos.
“Grupi do të shqyrtojë situatën me kujdes. Për momentin vërejmë se komisionerja Kos nuk ka mohuar këto zbulime të reja. Topi tani është në fushën e saj,” tha zëdhënësi i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetët kanë paralajmëruar se do ta pyesin Martën Kos për këto akuza gjatë debatit mbi zgjerimin në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), i caktuar për të hënën, më 16 mars.
Megjithatë, Kos ka njoftuar të premten se nuk do të mund të marrë pjesë në debatin e AFET.
“Një ditë do të duhet të vijë në AFET dhe nuk do t’i jetë e lehtë,” tha një zyrtar nga radhët e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.

