75 Mall Live Search
12:51 / E Hënë, 10 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Komisionet parlamentare, 8 do të udhëhiqen nga pozita, 6 nga opozita

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e zhvilluar sot ka  bërë ndarjen e komisioneve parlamentare ndërmjet koalicionit VV-LDK, bashkë me minoritetet.

LVV-ja dhe LDK-ja do të bëjnë udhëheqjen e 8 komisioneve, nga 14 sa janë gjithsej.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pret nga grupet parlamentare që deri të mërkurën t’i bëjnë të ditur emrat e anëtarëve, që komisionet të votohen në Parlament gjatë seancës plenare të së enjtes.

Vetëvendosje do të udhëheqë Komisionin për buxhet dhe financa, Komisionin për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, Komisionin për bujqësi pylltari dhe zhvillim rural, transmeton Indeksonline.

Kurse LDK-ja, do të udhëheqë Komisionin për integrime evropiane, Komisionin për legjislacion dhe Komisionin për arsim, shkencë e teknologji, ndërmarrësi dhe inovacion.

PDK-ja do të ketë nën udhëheqje Komisionin për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, Komisionin për mbikëqyrje të financave publike dhe Komisionin për mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

AAK-ja do të drejtojë Komisionin për punë të jashtme dhe diasporë si edhe Komisionin për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, kurse Nisma do të drejtojë Komisionin për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti, industri dhe zhvillim rajonal.

Lista Serbe do të udhëheqë me Komisionin për Të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim.

Grupi Parlamentar 6plus do të udhëheqë Komisionin për të drejtat e njeriut, Barazi gjinore, për persona të pagjetur dhe peticione./Indeksonline/