Komisioni Disiplinor gjobitë disa avokatë, kjo është arsyeja
Disa avokatë të Odës së Avokatëve të Kosovës janë gjobitur nga Komisioni Disiplinor, pasi kanë kryer detyrën zyrtare pa caktim paraprak nga Zyra Koordinuese.
Përmes një njoftimi zyrtar të OAK-ut, bëhet e ditur se ndaj avokates E.B., dhe avokatëve të tjerë të shpallur përgjegjës është shqiptuar gjobë në shumën prej 4500 eurosh, për secilin veç e veç.
“OAK rikujton të gjithë anëtarët se çdo angazhim ex officio kryhet vetëm përmes Zyrës Koordinuese. Çdo thirrje, kërkesë apo ftesë për angazhim ex officio ose si përfaqësues i përkohshëm, e bërë nga çfarëdo organi tjetër jashtë procedurës së OAK-së, duhet të refuzohet pa përjashtim” thuhet në njoftim të OAK-ut.
Ky është njoftimi i plotë i Odës:
Komisioni Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës ka përfunduar shqyrtimin e disa lëndëve disiplinore të iniciuara lidhur me angazhimet sipas detyrës zyrtare (ex officio) të kryera pa caktim paraprak nga Zyra Koordinuese e OAK-së.
Në këtë kuadër, Komisioni ka marrë vendim edhe ndaj avokates E.B., e cila është shpallur përgjegjëse për shkelje të rëndë disiplinore, në pajtim me Statutin e OAK-së dhe Kodin e Etikës Profesionale për Avokatët.
Ndaj saj dhe avokatëve që janë shpall përgjegjës është shqiptuar masa disiplinore gjobë në shumën prej 4,500 (katër mijë e pesëqind) euro, për secilin veç e veç.
Komisioni ka konstatuar se avokatja është angazhuar për ofrimin e ndihmës juridike sipas detyrës zyrtare pa u caktuar nga OAK, në kundërshtim me aktet normative në fuqi.
OAK rikujton të gjithë anëtarët se çdo angazhim ex officio kryhet vetëm përmes Zyrës Koordinuese. Çdo thirrje, kërkesë apo ftesë për angazhim ex officio ose si përfaqësues i përkohshëm, e bërë nga çfarëdo organi tjetër jashtë procedurës së OAK-së, duhet të refuzohet pa përjashtim.
Angazhimi jashtë këtij rregulli përbën shkelje veçanërisht të rëndë disiplinore dhe sjell pasoja përkatëse.
Oda e Avokatëve të Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve të larta profesionale dhe në forcimin e integritetit të profesionit të avokatisë.

