75 Mall Live Search
16:04 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / BA

Komisioni Evropian konfirmon ndërhyrjen në sinjalin GPS në avionin e Von der Leyen: Jemi mësuar me sjellje armiqësore nga Rusia

Komisioni Evropian ka konfirmuar se një sinjal GPS ishte bllokuar në aeroplanin ku ndodhej Presidentja Ursula von der Leyen ndërsa po i afrohej aeroportit të Plovdivit në Bullgari .

Incidenti, tha zëdhënësja e Komisionit  Arianna Podesta, iu atribuua “ndërhyrjes së hapur” nga Rusia, sipas informacionit të dhënë nga autoritetet bullgare. Pavarësisht ndërhyrjes, aeroplani u ul në mënyrë të sigurt.

“Ne me të vërtetë mund të konfirmojmë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul në mënyrë të sigurt në Bullgari. Autoritetet bullgare dyshojnë se kjo është ndërhyrje e hapur nga Rusia”, tha Podesta, duke konfirmuar raportin e Financial Times.

Sipas zëdhënëses  të Komisionit, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.

 “Ne jemi mësuar me këtë lloj kërcënimesh dhe frikësimi, të cilat janë një tipar i rregullt i sjelljes armiqësore të Rusisë . Ky fakt përforcon më tej angazhimin tonë të palëkundur për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse dhe mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha ajo

Komisioni nënvizon se turneu i Von der Leyen në vendet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një rëndësi edhe më të madhe pas incidentit, pasi nxjerr në pah kërcënimet e përditshme me të cilat përballen ato. 

Ai gjithashtu siguroi se “BE do të vazhdojë të investojë në shpenzimet e mbrojtjes dhe në përgatitjen e Evropës, edhe më shumë pas këtij incidenti”.