75 Mall Live Search
14:17 / E Mërkurë, 04 Mars 2020 / indeksADMonline

Komisioni i kërkon Konjufcës të raportojë për aktivitetet e tij të fundit

Sot, Komisioni për Punë të Jashtme, ka mbajtur takimin e radhës.

Në këtë mbledhje u diskutua për planin e punës që mbetet të aprovohet në takimet e radhës, derisa u fol edhe për kërkesën e ministrit Glauk Konjufca, i cili dje kërkoj shkarkimin e disa ambasadorëve të cilët ishin emëruar politikisht.

Ishte, Ariana Musliu –Shoshi, anëtare në këtë komision, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ajo e cila ka kërkuar raportimin e ministrit Konjufca në lidhje me aktivitetet e fundit, deri sa kërkesa e saj u aprovua.

Shoshi gjithashtu kërkoi që të hapen disa ambasada të reja në disa kontinente.

“I kemi 28 ambasada dhe disa konsullata. Duhet ta dimë nga ministri se a është ky buxhet i mjaftueshëm. A duhet të rritet a duhet të zvogëlohet. Po ashtu mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi edhe një numër të rritjes së ambasadave në disa vende siç janë, Afrika, Azia e Amerika Jugore.

Pra të dimë për planet dhe projektet e tjera të cilat ministri i mendon për zhvillim”.

Anëtarja e PDK-së, shtoi se sa i përket raportit të ministrit për aktivitetet e tij është e rëndësishme ta kemi ministrin këtu me datën 6 ose 9 mars”.

Ndërsa, anëtari i LDK-së në këtë komision Arben Gashi, sa i përket shkarkimit të ambasadorëve, tha se të njëjtit ishin pa mandat dhe në kundërshtim me ligjin.

Megjithatë edhe ai u pajtua me kërkesën e deputetes Shoshi, që ministri të ftohet dhe të raportojë para komisionit për këtë, por edhe për shkarkimin e konsujve./Indeksonline