Komisioni i ri për kufirin: Mos na zhvlerësoni paraprakisht, na duhen materiale shtesë
Komisioni i ri për shënjimin e kufirit ka deklaruar se i duhet kohë shtesë që të grumbullojë materiale dhe të dalë me një përfundim rreth kufrit të Kosovës me Malin e Zi.
Komisioni në krye me ekspertin Shpejtim Bulliqi ka kërkuar që të mos zhvlerësohet puna e tyre por t’i ipet kohë për nxjerrjen e përfundimeve.
“Komisioni shpreh shqetësimet e tij për shkak të disa përpjekjeve për zhvlerësimin paraprak të punës së tij, por ky komision do të punojë si duhet, pavarësisht nga përpjekjet e tilla”, thuhet në komunikatën për media.
Komisioni vlerëson se do të kërkojë materiale shtesë nga institucionet për kufirin.
“Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror duke vepruar sipas vendimit për emërimin e tij, nr. 01-04, dt. 22.9.2017, të Qeverisë së Kosovës, deri më tash ka mbajtur disa takime pune, në të cilat, në mënyrë të organizuar, ka analizuar pjesë të materialeve të punës të ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Komisioni ka konkluduar se ka nevojë edhe për një numër të konsideruar të materialeve shtesë, të cilat do t’ua kërkojmë me shkrim disa institucioneve përkatëse”, thuhet në njoftimin për media.
Komisioni thekson se është duke punuar për ta zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës.
“Theksojmë se Komisioni do të punojë krejtësisht në përputhje me gjendjen e fakteve të verifikuara dhe sipas Ligjit në fuqi.”, thuhet ndër të tjerash në njoftim. /AktivPress