Komisioni për buxhet miraton ndarjen e mjeteve për RTK-në
Me 7 vota për, asnjë kundër e dy abstenime, Komisioni për buxhet në Kuvendin e Kosovës e ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në për periudhën janar-qershor 2026, në vlerë prej 4 milionë e 480 mijë euro. Po ashtu, Komisioni ka udhëzuar drejtorin e përgjithshëm të thesarit që ta bëjë transferimin e këtyre mjeteve në buxhetin e RTK-së.
Paraprakisht, kryetari i Komisionit për buxhet, Enver Haliti, ka theksuar se meqenëse raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar nga bordi i RTK-së për këtë arsye nuk duhet të hidhet në votim.
“Siç e patë edhe deklarimin e menaxhmentit dhe bordit raporti për vitin e kaluar nuk është miratuar në bordin e RTK-së, kështu që unë propozoj që atë mos ta hedhim fare në votim. Për shkak se nuk është miratuar nga ana e bordit, mbetet që bordi i ri të vendosë se çfarë do të bëjë me raportin e vitit të kaluar. Ndërsa sa i përket vendimit që ka të bëjë me ndarjen e mjeteve buxhetore për sesionin pranveror, këtë vendim duhet ta marrim, në mënyrë që RTK-ja të mos mbetet pa buxhet dhe të mos përsëritet situata e njëjtë që kishim vitin e kaluar”, ka thënë Haliti.

