Komisioni për Integrime Evropiane miraton Projektligjin për kriptoasetet

Komisioni për Integrime Evropiane miratoi të mërkurën Projektligjin për kriptoasetet, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, tha së është iniciativë e Kuvendit që kjo fushë të ketë mundësi rregullimi për aq sa është e mundur.
“Ta kemi një ligj që në mënyrë adekuate trajton sidomos sferën e tregtimit me kriptoasete. Është synuar maksimalisht që të përfillen të gjitha direktivat e BE-së, qoftë edhe direktivat që parashihen të futen në fuqi në këtë vit. Përveç ligjit bazik, i cili është në procedim parlamentar, ne kemi paraparë një sërë aktesh të tjera nënligjore, të cilat do të nxiren nga autoritetet të cilat do të mirren me zbatimin ligjit, e sidomos përgjegjësia më e madhe në këtë rast i takon Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila do të mirret me nxjerrjen e të gjitha akteve të cilat do të rregullojnë në mënyrë strikte fushën e veprimit me kriptoasete, afarimit me to, por sidomos kur vjen puna e licencimit të operatorëve, të cilët do të merren qoftë me tregtim të tyre, por edhe çështje të tjera. Rol të rëndësishëm do të ketë dhe njësia e inteligjencës financiare në vendin tonë dhe mendoj se është një ligj që plotëson një envojë që kanë qytetarë e vendit tonë. Për aq sa është e mundur të rregulloht fusha, ne me këtë ligj arrijmë të japim një mundësi dhe drejtim të duhur në aspektin legjislativ, që operatorët ta kenë një legjislacion ku mund të thirren dhe të operojnë shëndetshëm në Republikën e Kosovës dhe më gjërë”, ka thënë Hyseni.
Kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi, tha se projektligji u miratua me gjashtë vota për.