75 Mall Live Search
16:05 / E Martë, 22 Korrik 2025 / Burim

Komisioni për verifikimin e testit pranues në Fakultetin e Mjekësisë konstaton se testimi ishte kredibil

Komisioni për verifikimin e përmbajtjes së pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, i themeluar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka publikuar raportin e detajuar pas pretendimeve të disa kandidatëve për lëshime në test.

Komisioni, i përbërë nga profesorët Bashkim Thaçi e Arlinda Bytyqi-Damoni, ekspertë të Kimisë dhe profesori Bekim Gashi, ekspert i Biologjisë, ka konstatuar njëzëri se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë në asnjë mënyrë nuk e cenon kredibilitetin e procesit të testimit.

“Për të gjithë nxënësit me përgatitje mesatare, lëshimet teknike në testin e Kimisë konsiderohen që nuk kanë ndikim në zgjidhjen e detyrave dhe si rezultat në përzgjedhjen e alternativës së saktë”, thuhet në njoftim të lëshuar nga Universiteti i Prishtinës, raporton IndeksOnline.

Ndërkohë, për testin e Biologjisë, komisioni i pavarur ka konstatuar se nuk është bërë asnjë lëshim i natyrës teknike apo përmbajtjesore.

Njoftimi i plotë:

Komisioni për verifikimin e përmbajtjes së pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, i themeluar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, pas pretendimeve të disa kandidatëve se ka pasur lëshime në këtë test, ka hartuar raportin e detajuar për këtë çështje bashkë me rekomandimin përfundimtar.

Komisioni i përbërë nga profesorët Bashkim Thaçi e Arlinda Bytyqi-Damoni, ekspertë për lëndën e Kimisë dhe profesori Bekim Gashi, ekspert për lëndën e Biologjisë, konstatuan njëzëri se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë në asnjë mënyrë nuk e cenon kredibilitetin e procesit të testimit të kandidatëve për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.

Komisioni, për më shumë, konstatoi njëzëri se:

„Për të gjithë nxënësit me përgatitje mesatare lëshimet teknike në test [të kimisë] konsiderohen që nuk kanë ndikim në zgjidhjen e detyrave dhe si rezultat në përzgjedhjen e alternativës së saktë.”

Komisioni i pavarur dhe i përbërë nga anëtarët që nuk morën pjesë as në përgatitjen e pyetjeve për provimin pranues, e as në Komisionin për ankesa, pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve për lëshime, po ashtu, erdhi në përfundim se në testin e Biologjisë nuk është bërë ndonjë lëshim i natyrës teknike apo përmbajtjesore.

Universiteti i Prishtinës i siguron të gjithë të testuarit dhe qytetarët e Kosovës se në të gjitha rastet e proceset dhe pa asnjë dallim, do të veprojë me transparencë, ligjshmëri e meritokraci.