19:15 / E Shtunë, 03 Dhjetor 2022 / MSH

Komiteti Paralimpik i Kosovës pritet nga Presidentja Osmani

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) bashkë me Federatat paralimpike dhe asociacionet sportive anëtare të KPK-së, vizituan institucionin e Presidencës, ku u pritën nga Shkelqësia e Saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.   

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, falënderoi Presidenten Osmani për gatishmërinë e saj për të dëgjuar kërkesat e parasortistëve dhe e informoi për përgatitjen për Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”, ku Republika e Kosovës pritet që për herë të parë të përfaqësohet në këtë garë të madhe ndërkombëtare. 

Presidentja Osmani, deklaroi se kujdesi institucional ndaj kësaj kategorie nuk duhet të fokusohet në një ditë të vetme, por gjatë gjithë vitit, prandaj këtë vit premtoi të ndajë 100 mijë euro shtesë subvencione vetëm për organizatat e personave me aftësi të veçanta. 

Gjithashtu, shprehu gatishmërinë t`i mbështesë sportistët paralimpikë, të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Paralimpike në Paris më 2024. 

Takimet e kësaj natyre konfirmojnë gatishmërinë institucionale për të trajtuar kërkesat e personave me aftësi të kufizuara në këtë rast parasportistët duke u mundësuar atyre gjithpërfshierje dhe angazhim në sportin paralimpik. 

Takimi ishte në vazhdën e angazhimeve që Komiteti Paralimpik i Kosovës ka me përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara, masovizimit të parasportistëve dhe pjesmarrjen në lojra dhe gara ndërkombëtare.