22:01 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

“Kompania ajrore greke me kapital libanez synon tregun e Kosovës”

Në Kosovë tregjet e saj, si ai financiar, investues dhe i shërbimeve, janë bërë kohëve të fundit joshëse, sidomos tani në mungesë të funksionalizimit të institucioneve që pas dorëheqjes së kabinetit qeveritar. Tregu kosovar në këtë periudhë është bërë tërheqëse edhe për shumë kompani ajrore të udhëtimeve, sidomos nga Lindja e Afërt, ndër to edhe për shumë sosh, të cilat nuk shquhen për ndonjë afarizëm të shëndoshë e korrekt.

Këto ditë ka shprehur interesim që në tregun e Kosovës të instalohet edhe kompania ajrore greke me seli në Greqi – “AIR Mediterranean”, me pronar e menaxher të saj Fadi Halak… dhe me kapital libanez.

Kjo kompani, që për njohësit e tregjeve të fluturimeve ajrore nuk është shumë e njohur, për të mos thënë është fare e panjohur, sipas të dhënave posedon gjithsej dy avionë shumë të vjetër, që të dy me moshë rreth 30-vjeçare. Njëri aeroplan i “AIR Mediterranean” është tip “737-400, SX-MAH” me 168 vende dhe është i angazhuar pothuajse vetëm në tregun e shteteve të Gjirit Persik, përkatësisht në linjat ndërmjet Arabisë Saudite dhe të disa shteteve arabe (Irak, Erbil, Sylejmani dhe disa vende të tjera arabe). Ndërkaq avioni  tjetër i kësaj kompanie po ashtu rreth 30-vjeçar “SX-MAI” synon të angazhohet në tregun ajror të Kosovës.

Kompania “AIR Mediterranean” nuk shquhet për ndonjë përvojë të gjatë në tregun e fluturimeve. Në fakt ajo është fare e re në këtë treg, pasi kompania është regjistruar për herë të parë vetëm më 2017-n. Madje në vitin e parë të regjistrimit “AIR Mediterranean” ka punuar fillimisht vetëm 3 muaj, për shkak se pas kësaj periudhe i janë pezulluar të gjitha fluturimet shkaku i marrjes së licencës. Nuk dihen arsyet për marrjen e  kësaj licence. Pastaj kjo kompani është riaktivizuar tek në prill të vitit 2018.

Sidoqoftë, për shkak të bagazhit të pasqaruar afaristo-financiar të kësaj kompanie, institucionet tona kompetente për t’i verifikuar dhe për t’i vlerësuar investimet e huaja mbase do të ishte e udhës që paraprakisht të analizojnë deri në detaje interesin e vendit tonë për këso investimesh. Është e udhës pra që detajisht të shtjellohet afarizmi e serioziteti i kompanisë, për të mos ndodhur siç ka ndodhur në shumë raste, për të diskutuar më pastaj pasojat eventuale.

Një shtjellim më të detajuar institucionet tona kompetente do të duhej t’ua bëjnë në fakt të gjitha  interesimeve të investitorëve të jashtëm, të cilët nuk kanë ndonjë projekt shumë të dëshmuar dhe që në këto kohëra nuk janë të pakta. Pra kohëve të fundit ka shumë të interesuar nga jashtë, e posaçërisht investitorë  nga Lindja e Mesme – investitorë me kapital të ndryshëm, sidomos nga bota arabe për të ardhur në Kosovë. Nuk janë të pakta as kompanitë ajrore, të cilat synojnë tregun e Kosovës me kapital të ndryshëm. Prandaj duhet të kihet kujdes.

Kërkesa për operim në Kosovë pati kohët e fundit nga Egjipti, nga Siria, nga Iraku dhe nga të tjera vende arabe. Është e ditur se operatorëve nga Egjipti u është refuzuar kërkesa për operim në Kosovë.