12:01 / E Martë, 20 Korrik 2021 / AR

Kompania amerikane e akulloreve ndal shitjet në territoret palestineze, Bennett paralajmëron pasoja të rënda

Izraeli e paralajmëroi të martën gjigantin e prodhimeve ushqimore, Unilever, për pasoja të ashpra për shkak të një vendimi të kompanisë amerikane që është pjesë e kësaj korporate, Ben & Jerry’s për ta ndërprerë shitjen e akulloreve në territoret e pushtuara nga Izraeli, duke kërkuar nga shtetet e ShBA-së që t’i aktivizojnë ligjet anti-bojkot.

Njoftimi i kompanisë amerikane të hënën erdhi pas presionit pro-palestinez ndaj prodhuesit me seli në Vermont të ShBA-së rreth tregtisë që zhvillon në Izrael dhe në vendbanimet hebreje në Bregun perëndimor, shkruan Reuters.

Kompania Ben & Jerry’s tha se nuk do ta rinovojë licensën për partnerin tregtar, e cila skadon në fund të vitit, duke shtuar se do të vazhdojë të qëndrojë në Izrael me një strukturë tjetër, pa shitje në Bregun Perëndimor, bashkë me zonat ku palestinezët kërkojnë shtet.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, tha se shefi i qeverisë ka biseduar me shefin ekzekutiv të korporatës Unilever, Alan Jope, rreth asaj që e quajti “masë verbuese anti-izraelite” nga prodhuesi i akulloreve.

“Nga pozicioni i Izraelit, ky veprim ka pasoja të rënda, ligjore dhe të tjera, dhe ne do të lëvizim në mënyrë agresive kundër çfarëdo mase bojkotuese që i ka cak civilët”, citohet t’i ketë thënë kryeministri izraelit shefit të kompanisë Unilever.

Ambasadori i Izraelit në Uashington, Gilad Erdan, tha se e ka ngritur si çështje vendimin e kësaj kompanie në një letër dërguar 35 guvernatorëve amerikanë, shtetet e të cilëve kanë legjislacion kundër bojkotimit të Izraelit.