14:27 / E Mërkurë, 19 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kompania amerikane mbron faqet e internetit të grupeve terroriste

Kompania amerikane që merret ne infrastrukturat e faqeve të internetit, Cloudflare, ofron siguri kibernetike për 7 grupe terroriste, mes tyre edhe Talebanët dhe Hamas. Zbulimi bëhet nga një hetim i “Huffington Post”.

Cloudflare, e cila pretendon se përmes saj kalon 10% e trafikut botëror në internet, ka qenë në qendër të kritikave edhe më parë pasi i siguronte shërbime edhe një faqeje interneti neo-naziste. Vetë Cloudflare nuk mban faqe interneti në serverat e saj, por ofron shërbime sigurie nga sulmet kibernetike.

Përveç Talebanëve dhe Hamasit, klientë të Cloudflare janë edhe grupe të tjera që rezultojnë në listën e organizatave terroriste të Departamentit Amerikan të Shtetit, mes tyre Al-Shabab, Fronti Popullor për Lirimin e Palestinës, Brigadat al-Quds, Partia e Punës së Kurdistanit, etj.

Ofrimi i asistencës teknike dhe materiale ndaj organizatave terroriste është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe kompania është paralajmëruar që mund edhe të mbyllet për këtë fakt. “Ne përpiqemi të jemi neutralë dhe të mos bëjmë arbitrin në këtë mes”, tha Doug Kramer, këshilltari i përgjithshëm i Cloudflare për HuffPost.