20:37 / E Enjte, 14 Maj 2020 / indeksADMonline

Kompania franceze: Vaksina antikoronavirus për të gjithë, Amerika ka përparësi

Gjiganti farmaceutik francez, SANOFI planifikon që vaksina kundër koronavirusit të jetë në dispozicion të të gjithëve dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin përparësi, sepse ishin të parat në financimin e kompanisë.

“Vaksina kundër COVID-19 do të vihet në dispozicion të gjithë publikut, pavarësisht kombësisë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Paul Hudson.

Mesazhi erdhi pasi, në një intervistë me ”Bloomberg”, Hudson theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin përparësi, sepse ishin të parat në financimin e kompanisë.

“Qeveria amerikane ka të drejtën e porosisë më të madhe, pasi rrezikoi duke investuar”, deklaroi Hudson për ”Bloomberg”.

Në prill, SANOFI dhe ndërmarrja farmaceutike, GlaxoSmithKline thanë se donin të punonin së bashku në zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit.