11:04 / E Premte, 21 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kompania japoneze me 200 vjet përvojë pune parakualifikohet për ndërtimin e termocentralit

Përveç konglomeratit Amerikan General Electric, ContourGlobal dhe Republika e Kosovës kanë njoftuar se edhe Mitsubishi Group është pjesë e listës së katër kompanive që ka kaluar fazën parakualifikuese dhe është në garë për kontratën e inxhinierimit, prokurimit dhe ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, ku investitorë është kompania Amerikane ContourGlobal.

 Mitsubishi Group është ndër kompanitë më prestigjioze globale nga Japonia. 200 vitet e fundit kompania operon në fusha të ndryshme, përfshirë edhe esktraktimin dhe përpunimin e qymyrit. Vetëm pak kohë më parë ajo ndërtoi termocentralin gjigand me kapacitet prej 5300 megavatësh në Tajlandë dhe atë prej 670 megavatësh të bazuar në linjit në Boxberg, Gjermani.

 Në vitin 1881 Mitsubishi bëri blerjën e parë të një miniere qymyri, nga filloi me përpunimin dhe esktraktimin e kësaj lënde të parë. Nga aty, grupi ishte rritur tej mase, duke u shndërruar në një nga konglomeratet kryesore globale dhe ndër faktorët kryesor të zhvillimit ekonomik të Japonisë.

 Pas vitit 1900, Mitsubishi Group zgjeroi gamën e aktiviteteve duke ofruar edhe shërbime financiare, të marketingut, investime në patundshmëri, administrim dhe mihje, duke vazhduar kështu edhe me prodhimin e teknologjisë së ‘epokës së re’, sic janë automobilët, pajisjet shtëpiake dhe pajisje tjera elektronike.

 Përvec termocentralit në Tajlandë dhe Gjermani, në vitet që po lëmë pas Mitsubishi ka ndërtuar kapacitete termocentrale të energjisë elektrike që tejkalojnë 17 mijë megavat energji elektrike në orë në Kanadë, Japoni, Meksikë, Taiwan dhe në shumë vende tjera në botë.

 Termocentrali “Kosova e Re” shënon një moment historik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe do të përfaqësojë investimin më të madh të huaj të drejtpërdrejtë në vend. Kjo do të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjeve prej 415 milionë dollarë në vit, të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm i energjisë në Kosovë.

 Ndërtimi i Kosovës së Re ka tërhequr interesimin e kompanive më prestigjioze në botë, në mesin e tyre edhe Mitsubishin nga Japonia. “Ne jemi të kënaqur që kemi tërhequr ndërtuesit më të mëdhenj të elektranave në botë për termocentralin “Kosova e Re’, kishte thënë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e shpalljes së të përzgjedhurve.

 Konglomerati General Electric nga Amerika, Mitsubishi Group nga Japonia dhe Hyundai nga Koreja Jugore janë vetëm disa nga kompanitë e mëdha botërore që kanë shfaqur interesimin për kontratën e inxhinierimit, prokurimit dhe ndërtimit të termocentralit të ri në Kosovë, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë në pjesën e parë të vitit 2019.

 Redaksia mëson se Contour Global dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin përcaktuar kritere të ashpra për kompanitë e interesuara në fazën para-kualifikuese për kontratën e ndërtimit të termocentralit.

 Për pjesën e ndërtimit, ofertuesit në fjalë gjithashtu kanë paraqitur propozimet e tyre për markat e ndryshme të shquara botërore të teknologjisë që do të përdoren (turbinat, gjeneratorët, dhe pjesët e tjera elektrike), të tilla si Doosan, General Electric, IHI, Mitsubishi Hitachi Power Systems, Rafako, Siemens dhe Toshiba si dhe shërbime afatgjata të mirëmbajtjes nga Alstom Power Service; General Electric; KEPCO; konsorciumi i KEPS, HPS, dhe OES; dhe një konsorcium i Mitsubishi Hitachi Power Systems, ENKA, dhe Tecnicas Reunidas.