16:35 / E Hënë, 29 Maj 2023 / AR

Kompania kosovare sqaron se si aksidentalisht autobusi i saj u pa në Beograd

Kompania kosovare Kaltrina Travel ka sqaruar se pse autobusi i tyre është përdorur në transportimin e serbëve nga Kosova për në Beograd.

Siç thuhet në komunikatë, autobusi i tyre është huazuar nga një kompani tjetër Shetit.com, e cila edhe ka shkuar në atë destinacion.

Ata kërkojnë falje për situatën e krijuar, ku thonë se as kompania e tyre dhe asnjë kompani tjetër nga Kosova nuk do të duhej të ishin përfshirë në këtë situatë.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar klientë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë,

Me këtë komunikatë, dëshirojmë të sqarojmë një çështje të rëndësishme që ka ardhur në vëmendjen tuaj dhe ka shkaktuar reagime të ndryshme edhe në mediat e Kosovës. Tema e diskutuar është transportimi i sërbëve nga Kosova për në Beograd dhe përdorimi i një autobusi nga kompania jonë për këtë qëllim.

Të gjitha kompanitë turisitike që operojmë në Kosovë, në momente të caktuara huazojmë autobusë në raste nevoje, gjitha kjo në emër të kolegialitetit, bashkpunimit të ndërsjelltë dhe besimit që kemi ndaj njëra tjetrës.

Rrjedhimisht, njejtë ka ndodhur edhe në rastin tonë. Si shumë hera të tjera edhe në rastin në fjalë, jemi kontaktuar nga një kompani mike – SHETIT .COM, ku na është kërkuar huazimi i autobusit për nevoja të tyre, dhe në bazë të besimit të krijuar, ne nuk e kemi ditur as destinacionin dhe as qëllimin e huazimit, deri në momentin kur e kemi parë në rrjete sociale.

DËSHIROJMË TË BËJMË ME DIJE QË AS KOMPANIA JONË DHE ASNJË KOMPANI TJETËR NGA KOSOVA NUK DO TË DUHEJ TË ISHIN PËRFSHIRË NË KËTË SITUATË.

EDHE PSE AKSIDENTALISHT JEMI GJENDUR NË KETË SITUATË,  JU KËRKOJMË FALJE!

Faleminderit për mirëkuptim,

Kaltrina Travel