11:50 / E Martë, 23 Tetor 2018

Kompania përgjegjëse: Ky është numri i biletave që do të shiten online për ndeshjen, Kosovë – Azerbajxhan

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në ”Fadil Vokrri”, Kosova mirëpriti Maltën në kuadër të Ligës së Kombeve.

Por, disa ditë para ndeshjes, kur biletat dolën në shitje, u shkaktua një tollovi e madhe e përshkruar me incidente në pikat e shitjes – sidomos në kryeqytet.

Dhe për t’i evituar këto tollovi e radhë të gjata të qytetarëve para pikave shitëse, është përfolur për shitjen e biletave në sistemin online.

Kompania që ka në menaxhim shitjen e biletave është ”Alt 4”, dhe e njejta kompani po e shqyrton mundësinë e sistemit online, shkruan IndeksOnline.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtarja për media e kompanisë në fjalë, Orgesa Arifi, e cila sqaroi procedurat e këtij sistemi.

Arifi ka pohuar se po planifikohet që të shiten biletat në këtë mënyrë, por se fillimisht do të jetë vetëm si fazë testuese.

”Jemi duke punuar në aspektin që shitja e biletave të bëhet online, por fillimisht do të jetë vetëm një fazë testuese për ta parë si mund ta menaxhojmë”, tha Arifi.

Kohëve të fundit, ka pasur keqpërdorime të shumta me shitjen e biletave, të cilat i gjenim në ”tregun e zi” me çmime marramendëse nga persona të papërgjegjshëm.

Por, Arifi së bashku me kompaninë e saj e kanë hartuar edhe planin për evitimin e këtyre keqpërdorimeve.

”Risi kësaj radhe është një person mund të blejë vetëm 5 bileta për t’i evituar keqpërdorimet”.

Për fund, ajo zbuloi edhe numrin e saktë të biletave që do të shiten online: ”Pra, do të shiten vetëm 1000 bileta online, pasi jo të gjithë kanë mundësi të blejnë në këtë mënyrë”./IndeksOnline/