12:28 / E Shtunë, 25 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kompania që mirëmban rrjetin e oksigjenit në QKUK: Nuk është e vërtet që ka pasur rënie të oksigjenit

Pronari i kompanisë N.N.SH “Ego Elsa”,Fadil Hoti, në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se nuk janë të vërteta lajmet se në Klinikën Infektive nuk ka pasur shtypje të mjaftueshme në sistemin e oksigjenit, më 5 korrik, ku humbën jetën katër pacientë të prekur me koronavirus.

Ai tha se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në Klinikën Infektive deri më tani nuk ka pasur asnjëherë rënie të sistemit të oksigjenit.

Hoti ka thënë se kanë këshilluar menagjmentin e QKUK-së që të mos mbingarkohen sistemet e rrjetit të oksigjenit sepse janë të vitit 2009.

Drejtori i kompanisë “Ego Elsa” cila ka kontratë me QKUK-në për mirëmbajtjen e sistemit të oksigjenit, ka thënë se një tank cisternë që furnizon Klinikën Infektive me të njëjtin gyp i furnizon 80 % të klinikave.

“Në QKUK dhe Infektive për fat të mirë deri më sot asnjëherë nuk ka pasur ramje të sistemit të oksigjenit. Por në kemi këshilluar, sugjeruar menagjmentin e QKUK-së, që të mos mbingarkohen sistemet e rrjetit të oksigjenit sepse janë të viteteve të 2009 dhe nuk janë të parapara për këso kriza pandemike dhe një tank cisternë që furnizon infektivën, i njëjti tank dhe rrjet i gypit i furnizon 80% të klinikave, do të thotë  mund të rrezikon shëndetin dhe trajtimin edhe të pancientëve të tjerë. Dmth nësë do të kishte pas rënie Infektiva do të binte rrjeti në të gjitha këto klinika dhe humbje në njerëz do të ishin dukshëm më të mëdha.

Ndërsa për Klinikën Sportive nuk e kemi në kontrate ne. Nuk mund të flas për të.

Dhe përveç rrjtit qëndror i kanë bombolat alternative që hyjnë në funksion e të cilat e mbajnë sistemin 02 te pacienti katër orë furnizim”, tha ai.

Hoti për IndeksOnline ka thënë se nëse do të kishte rënie apo ngritje të theksuar të sistemit do të binte alarmi, një gjë e tillë që s’ka ndodhur.

Ai tha se janë duke pritur rezultatet e organeve përgjegjëse./IndeksOnline/