Kompletohet faza e gjysmëfinales së Ligës së Evropës

Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e programit të sotëm të Ligës së Evropës, ku kemi pasur disa rezultate tejet interesante.
Pas 90’ minutave lojë, Eintracht Frankfurti e ka shokuar Barcelonën duke e mposhtur me rezultat 3:2 si mysafirë.
Krahas kësaj përballje u zhvillua edhe takimi mes skuadrës së Lyonit dhe asaj të West Ham United, ku ky i fundit ka siguruar kualifikimin tutje, pas fitores së sotme 3:0 kundër skuadrës franceze.
Po ashtu, skuadra e parë që siguroi kualifikimin tutje sot ishte ajo e RB Leipzig, e cila e mposhti me rezultat solid 2:0 Atalantan.
Ndërkaq, në ndeshjen mes Rangers dhe Bragas u nevojitën vazhdimet, pasi që koha e rregullt përfundoi me rezultat 2:1 në favor të Rangers, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar 1:0 në favor të Bragas.
Në vazhdime, skuadra skoceze u tregua më e mirë, ku edhe e gjeti golin e fitores, duke e mposhtur kështu Bragan me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Frankfurti, West Ham, Rangers dhe RB Leipzig janë skuadrat që kanë prekur gjysmëfinalen e Ligës së Evropës, ku aty do të përballen West Hami me Frankfurtin dhe RB Leipzigu me Rangers.
Gjysmëfinalja e Ligës së Evropës
West Ham United – Eintracht Frankfurt
RB Leipzig – Rangers