23:59 / E Diele, 08 Dhjetor 2019

Kompozitorët dhe tekstshkruesit të cilët synojnë fitoren në TVSH

Sot kanë dalë edhe titujt e këngëve që do të marrin pjesë pas dy javësh në Festivalin e Këngës në TVSH.

Festivali me traditë nënkupton edhe këngë që veçohen prej të tjerave.

Derisa presim që nesër ti dëgjojmë këngët dhe të nisim edhe komentet rreth këngëve më të pëlqyera, të një festivali që ka rëndësi edhe për faktin se fituesin e dërgon automatikisht në Eurovizion, të shohim pak në kompozitorët dhe tekstshkruesit e këngëve në fjalë.

Elvana Gjata dhe Bojken Lako janë të vetmit që kanë krijuar vet këngët e tyre, meloditë dhe kanë shkruar edhe tekstin e këngës. Elvana Gjata do të paraqitet në festival me këngën “Me tana” ndërsa Bojken Lako me këngën “Ma la seen”.

Fifi – Filloreta Raçi vjen si tekstshkruese dhe kompozitore e këngës së Robert Berishës, ndërsa Genc Salihu si tekstshkrues dhe Florent Boshnjaku në muzikë janë bashkuar për këngën e Olta Bokës – Shkrime në mur.

Adrian Hila, kompozitor i njohur shqiptar, ka krijuar këngën për Sara Bajraktarin dhe Albërije Hadërgjonajn, të dyja konkurrente të denja, me Albërijen si një emër i lakuar dhe fituesen e parë nga Kosova në Festivalin e TVSH-së, para më shumë se 20-të viteve.

Lindon Berisha ka shkruar tekstet e këngëve të Arilena Arës dhe Kanitës, ndërsa Naxhije Berisha ka shkruar tekstet e Aldo Bardhit dhe Era Rusit, shkruan KultPlus.

Eugent Bushpepa, fituesi i Festivalit të TVSH-së para disa vitesh, ka krijuar muzikën e këngës së Valon Shehut.

Pritet të dëgjojmë nesër këngët finaliste dhe të presim netët finale për të kuptuar se kush do të fitojë në festival dhe kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion. Me emrat e këngëtarëve si Elvana Gjata, Tiri Gjoci, Arilena Ara, Eli Fara, Era Rusi, Bojken Lako e artistë tjerë, mundësitë janë të mëdha.