75 Mall Live Search
10:06 / E Hënë, 10 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Kompozitori Boshnjaku, kërkon që incizimet e Nexhmije Pagarushës të jenë pronë shtetërore

Kompozitori Florent Boshnjaku, në një postim në rrjetin social Facebook, pasi që ka e ka konsideruar Nexhmije Pagarushën ikonë, ka kërkuar që incizimet e saj të jenë pronë e shtetit të Kosovës.

“Ai material është në adresa të tjera: Beogradi dhe në Zagrebi (sikurse është një numër i konsiderueshëm i incizimeve të vjetra të artistëve kosovarë përfshirë Qamilin e Vogël etj.) Në ish-Jugosllavi ku edhe ne kemi qenë pjesë e sistemit, incizimet janë publikuar në shumicën e rasteve nga PGP RTB (record label e asaj kohe si pronë e shtetit jugosllav me seli në Beograd ) e cila e mban të drejtën si kompani producent-pronare e këtyre incizimeve, ka shkruar Boshnjaku. Sipas tij, me gjithë bisedat me zyrtarë institucionalë nuk është marrë me shumë seriozitet kërkesa që këto materiale të diskutohen në takime me Serbinë si trashëgimi jona kulturore dhe shpirtërore .

“Materiali i incizuar në ato dekada duhet ta ketë vendin aty prej nga ka ardhur dhe është krijuar pra në Kosovë. Kosova duhet të jetë pronare e materialeve të incizuara në kohë kurë është jetuar dhe vepruar në një bashkësi me republikat tjera në Jugosllavi, pra këtu hyjnë edhe këngët e znj. Nexhmie Pagarusha”, ka shkruar Boshnjaku. Më tej, ai ka kërkuar trajtim dinjitoz të artistëve të kalibrit të Nexhmije Pagarushës.

“Znj.Nexhmie në vitet e fundit nuk e shijoi të drejtën e autorit ku ajo pagesë ishte deshtë me ja kriju një bazë për një pleqëri dhe pension të dinjitetshëm pa pasur nevojë me kriju ligje dhe ide tjera që artisti i kalibrit të saj të ketë një pleqëri si duhet”, ka shkruar Boshnjaku.

Në fund të postimit të tij, kompozitori Boshnjaku ka kërkuar digjitalizimin e materialit të arkivit të ish- RTP-së.

“Ligji i cili e rregullon raportin e RTK-së si RTV publik në raport me materialet e RTP-së të cilat pas digjitalizimit duhet të jenë pronë e RTV-së publike ose të jenë pronë e shtetit, të cilat arkivohen në ministri përkatëse si trashëgimi kulturore ose trashëgimi shpirtërore”, përfundon postimin e tij Boshnjaku.