75 Mall Live Search
10:59 / E Mërkurë, 15 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Kompromise të vështira për Kosovën dhe Serbinë, paralajmërimi i Blinkenit në letrën për Vuçiqin

Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës duhet të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Kështu ka deklaruar numri dy i SHBA-së, sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, duke uruar Serbinë për Ditën e Shtetësisë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Serbisë për Ditën e Shtetësisë”, tha Blinken, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit, transmeton Indeksonline

“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, tha Blinken.

Blinken theksoi se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik që ka me Serbinë me synimin për një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, si dhe se SHBA mbështet fuqishëm ambiciet evropiane të Serbisë.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Blinken i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së pajustifikuar dhe brutale” të Rusisë.

“SHBA mirëpriti mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara”. Ne duhet të jemi të bashkuar për të mbështetur të drejtën e popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e fundit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Departamentit të Shtetit, i cili, tha ai, do të “inkurajojë një kuptim më të mirë të qëllimeve dhe objektivave të politikës së jashtme, të krijojë të reja kanalet e komunikimit dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme. /Indeksonline/