Komshiqi flet për çështjen e taksës së Kosovës ndaj Bosnjës dhe Serbisë
Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, tha në Beograd se vendet e rajonit duhet të ndërtojnë marrëdhënie më të mira për veten e tyre dhe jo për dikë tjetër.
Ai theksoi se ishte e shkëlqyeshme nëse guri themeltar i autostradës së re do të sillte marrëdhënie më të mira në rajon, por shtoi se Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për një president të huaj për të zgjidhur gjëra të caktuara.
“Ne mund ta bëjmë vetë”, tha Komshiq në seancën “Dialogu diplomatik” me temën: “Bashkimi Evropian, Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi rajonal”, i organizuar nga Forumi i Marrëdhënieve Etnike.
Ai ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, jo për të dëshmuar veten ndaj të tjerëve, por se duhet të punojnë vetë dhe se situata aktuale siç është pengimi i qarkullimit të lirë ose taksat e Prishtinës ndaj Serbisë e Bosnjës duhet të zgjidhet për hir të vetë vendeve, jo të Brukselit apo Uashingtonit.
Komshiqi shprehu shpresën se Presidenca aktuale e B e H do të krijojë marrëdhënie të forta dhe të mira me Beogradin.
Duke komentuar idenë e një hapësire të përbashkët ekonomike, Komshiqi tha se ideja ishte tërheqëse, por nënkuptonte se duhej të bëheshin shumë gjëra dhe se do të ishte e dobishme të krijohej një “mini-Shengen” dhe se do të aktivizonte edhe bashkëpunimin e agjencive të sigurisë.
Komshiqi theksoi se ai është një mbështetës i madh i anëtarësimit në NATO, pasi mendon se do t’i sjellë rajonit atë që BE-ja s’do ta bëjë e ajo është siguria.