Komuna: Alarm i panevojshëm për ujin e pishinës së Gërmisë, rezultatet s’janë përfundimtare

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me cilësinë e ujit në Pishinën e Gërmisë, duke kërkuar maturi në komunikimet publike derisa të publikohen rezultatet përfundimtare nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Në njoftimin e komunës thuhet se ndërmarrja publike “Sportmarketing” ka ndërmarrë me vetiniciativë hapin për nënshkrimin e një marrëveshjeje me IKSHPK-në, me qëllim të marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit dhe monitorimit javor të cilësisë së tij në pishinë.
“Sportmarketing, në cilësinë e ndërmarrjes publike, shpreh përkushtimin e plotë për zbatimin e të gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe institucioneve përgjegjëse, duke e konsideruar shëndetin publik si prioritetin kryesor”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Komuna shprehet e shqetësuar për “alarmin e panevojshëm” që, sipas saj, është shkaktuar nga deklarata të parakohshme dhe të pambështetura në rezultatet përfundimtare.
“Megjithatë, Kryeqyteti shpreh shqetësimin lidhur me alarmin e panevojshëm të krijuar nga deklaratat publike të parakohshme dhe të pambështetura në rezultate përfundimtare. Sipas vetë IKSHPK-së, mostrat e dyta janë ende në proces të analizës laboratorike dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër. Çdo komunikim publik para përfundimit të këtyre analizave rrezikon të dezinformojë qytetarët dhe të krijojë konfuzitet”, thuhet nga Komuna.
Sipas IKSHPK-së, mostrat e dyta janë ende në analizë dhe rezultatet pritet të publikohen nesër. Komuna tërheq vërejtjen se çdo komunikim para këtyre rezultateve mund të çojë në dezinformim dhe konfuzitet në opinionin publik.
“Apelojmë për maturi dhe përgjegjësi, dhe ritheksojmë angazhimin tonë për transparencë dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse. Qytetarët do të informohen pa vonesë sapo të dalin rezultatet zyrtare”, përfundon reagimi i Komunës së Prishtinës./Indeksonline/