13:13 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / C E

Komuna e Dragashit me mesazh ndërgjegjësues kundër dhunës në familje

Komuna e Dragashit, në bashkëpunim me mekanizmin kundër dhunës në familje, në mbështetje nga zyra e kryetarit për shkak të pandemisë globale Covid-19 këtë vit, pasi që nuk mund të ketë aktivitete të tjera u sigurua që mesazhi ndërgjegjësues gjatë fushatës kundër dhunës në familje të përcillej përmes ekraneve mediale e sociale.

Mekanizmi kundër dhunës në familje organizon fushata të ndërgjegjësimit çdo vit, që zgjasin 16 ditë, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit te qytetarët për raportimin e rasteve të dhunës në familje në institucionet përkatëse komunale.

Këtë vit, kjo fushatë do të zhvillohet nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, premtoi se edhe për shkak të situatës aktuale në luftën kundër pandemisë Covid-19, komuna do t’i ketë prioritet raportimet e dhunës.

“Dhuna në familje trondit shoqërinë, rrezikon paqen e qendrueshme, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të raportojnë rastet e dhunës në familje në mekanizmat komunalë”

Prioritet të madh dhuna në familje ka edhe në institucionet e tjera që janë pjesë e mekanizmit komunal, Qerim Sylejmani, si hetues në Policinë e Kosovës, thotë: “Jo vetëm që jemi të detyruar ligjërisht, por edhe moralisht jemi të detyruar t’u dalim në ndihmë rasteve të dhunës në familje.”

Ndersa nga Qendra e Punës Sociale, motivohen viktimat të raportojnë rastet e dhunës, ata i sigurojnë viktimat se identiteti i tyre do mbetet sekret dhe i pa cenueshëm. Ibrahim Gashi drejtor i kësaj qendre  zotohet se rastet e dhunës në familje janë një nga përparësitë e para me të cilat merren.

“Dhuna nuk është më një problem i një individi, por problem i gjithë shoqërisë dhe shtetit”, citoi përfaqësuesi i Zyrës për komunitetet, Uzair Hamza.

E nga Zyra për Barazi Gjinore në Dragash, Lindita Kozmaqi – Piraj e përmbylli videomesazhin me kërkesen që rastet e dhunës në familje të raportohen në institucionet përkatëse, e kryesisht në mekanizmin komunal kundër dhunës në familje.