75 Mall Live Search
11:40 / E Enjte, 08 Janar 2026 / KV

Komuna e Drenasit del me njoftimin e fundit rreth përmbytjeve

Komuna e Drenasit ka njoftuar se reshjet e dendura të shiut, ndër më të mëdhatë që mbahen mend, gjatë ditës së hënë dhe të martë, kanë shkaktuar përmbytje me ç’rast, janë dëmtuar prona, shtëpi e biznese si dhe prona publike.

Me këtë rast, komuna shpreh solidaritet të plotë dhe bashkëndjenë me pronarët e pronave dhe bizneseve të goditura nga vërshimet, njëherësh falënderon të gjithë personat zyrtarë dhe qytetarët të cilët kontribuuan në lehtësimin e gjendjes së rëndë nga përmbytjet.

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave si edhe të gjitha drejtoritë dhe institucionet e tjera, me tërë kapacitetet e veta, kanë qenë vazhdimisht në terren, kanë kontribuar që dëmet të jenë sa më të vogla.

“Vërshimet kanë përfshirë hapësira të tëra në komunën tonë, në veçanti kanë vështirësuar qarkullimin e qytetarëve si edhe duke dëmtuar rëndë “Lokalet e reja”, te stacioni i autobusëve.

Shqetësuese ka qenë dhe mbetet niveli i lartë i ujit te “Lokalet e reja”, nivel si asnjë herë më parë, ashtu siç nuk kishte vërshime të këtij intensiteti si asnjë herë më parë. Intervenimet e emergjencave kanë qenë në kuadër të lehtësimit të qarkullimit të sasive të mëdha të ujit, në ujëmbledhës dhe gypat e kanalizimit apo në pengesat e shfaqura për qarkullimin e ujit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Sipas komunës, mbingarkimi i gypave të ujit atmosferik ka shkaktuar shqetësim shtesë gjatë vërshimeve, gjë që do të trajtohet me prioritet ashtu siç do të vlerësohen lidhjet e ujërave atmosferikë në gypat e kanalizimit të ekonomive familjare dhe objekteve kolektive.

Komuna falënderon të gjithë pjesëmarrësit në lehtësimin e pasojave të përmbytjeve, personat zyrtarë, qytetarët dhe kompanitë për përballimin e situatës, për solidaritetin dhe humanizmin e dëshmuar.

Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet do të emërohet së shpejti dhe presim bashkëpunimin e qytetarëve për të arritur në përfundime meritore, ndërsa komuna me prioritet do të marrë të gjitha masat për zvogëlimin e rrezikut nga përmbytjet.