Komuna e Drenasit godet KRU “Prishtina”: Qytetarët po diskriminohen me ndërprerje uji, është e qëllimshme

Komuna e Drenasit ka reaguar ashpër ndaj KRU “Prishtina”, dega në Drenas, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të ujit në disa fshatra të komunës, duke e cilësuar këtë sjellje si të papërgjegjshme, të qëllimshme dhe diskriminuese.
Në njoftimin zyrtar, komuna bën të ditur se tashmë pesë ditë me radhë ka kërkuar sqarime nga kompania, por përgjigjet kanë qenë të përsëritura dhe të pasakta. Sipas arsyetimeve të dhëna nga KRU “Prishtina”, problemet teknike do të zgjidheshin “brenda ditës”, gjë që nuk ka ndodhur.
Për më tepër, komuna thekson se përgjigjja e fundit e kompanisë ishte ironike dhe fyese, pasi u tha se zyrtarët e informimit gjendeshin në Shqipëri. Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka vazhduar të publikojë njoftime për komunat e tjera në faqen e saj zyrtare, duke e anashkaluar në mënyrë të pajustifikueshme Drenasin.
“Është e qartë se qytetari po bëhet viktimë e një qasjeje diskriminuese, e cila cenon interesin publik dhe imazhin e qeverisjes lokale, sidomos në kohë fushate. Qytetari i Drenasit nuk është qytetar i dorës së dytë,” thuhet në reagim.
Komuna ka paralajmëruar se do të shqyrtojë të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë kundër KRU “Prishtina”, me qëllim që qytetarëve t’u kthehet dinjiteti dhe të sigurohet e drejta elementare për furnizim me ujë.
Në bashkëngjitje, komuna ka publikuar edhe foto që dëshmojnë se kompania ka njoftuar për komunat e tjera, por jo për Drenasin.


