15:59 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / k.v

Komuna e Drenasit iu përgjigjet banorëve të Poklekut të Vjetër: Nuk do të ndërtohet impianti aty ku po pretendoni

Komuna e Drenasit iu është përgjigjur banorëve të Poklekut të Vjetër të Drenasit të cilët pretendojnë se afër shtëpive te tyre do të ndërtohet impianti i ujërave të zeza.

Banorët kanë ngritur një peticion kundër siç thonë ata projekt-propozimit për ndërtimin e impiantit në mes fshatit Poklek i Vjetër dhe Drenasit, te vendi i quajtur “livadhi mullinit”.

IndeksOnline ka pyetur Komunën e Drenasit rreth këtij projekti të cilët kanë thënë se projekti nuk është planifikuar asnjëherë të ndërtohet në këtë pjesë ku po pretendojnë banorët.

“Ky projekt nuk është planifikuar asnjëherë të ndërtohet në këtë pjesë ku kanë pretenduar banorët, projekti për grumbullimin e ujerave të zeza është menduar të ndërtohet në fshatin Dobroshec, përkatësisht tek vendi i quajtur “Guri i Plakës””, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra.

Komuna ka bërë rregullimin e kolektorëve të ujerave të zeza në të gjitha degëzimet dhe është bërë grumbullimi i tyre në shumicën e vendbanimeve.

“Tani ka mbetur të përfundohen kolektorët në qytet për të vazhduar në drejtim të Dobroshecit. Nuk ka ende një vend definitiv se ku do të ndërtohet impianti”, kanë thënë Dobra./IndeksOnline/