75 Mall Live Search
13:43 / E Hënë, 20 Shtator 2021 / k.v

Komuna e Drenasit nikoqire e kampit ndërkombëtar “Edu Camp Summer 2021”

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci hapi konferencën ndërkombëtare të kampit veror “Edu Camp Summer 2021”, pjesë e të cilit janë mbi 500 nxënës nga Kosova, Gjermania, Austria dhe vendet e tjera të rajonit.

Drenasi, si nikoqir i organizimit të këtij kampi ndërkombëtar, ka bërë të gjitha përgatitjet për pjesëmarrje fizike, por, për shkak të pandemisë është mbajtur online në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Jam i lumtur dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë që kampi ndërkombëtar veror “Edu Camp Summer 2021”, po zhvillohet nga Drenasi me pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti, zonjës Kerstin, nxënës, mësimdhënës, drejtor shkollash nga Gjermania, Austria dhe shtetet e rajonit”, është shprehur kryetari Lladrovci.

Ai ka shtuar se arsimi mbetet prioritet i përhershëm i qeverisjes së tij në Drenas.

“Kjo tregon se arsimi është prioriteti ynë i përbashkët, nxënësit e Drenasit të jenë në hap me nxënësit dhe arsimin e vendeve të BE-së, duke përfaqësuar edhe praninë e shtetit tonë. Prania e nxënësve dhe mësimdhënësve të Drenasit, si pjesëmarrësit e vetëm nga shteti jashtë BE-së në konferencën e organizuar nga Euroscola, është po ashtu sukses i arsimit dhe qeverisjes tonë. Nxënës, prindër, mësimdhënës, ju siguroj se mbështetja ime nuk do të ju mungojë asnjëherë”, ka thënë mes të tjerash ai, duke e falënderuar për bashkëpunim udhëheqësen e Education Unlimited, znj. Kerstin Zielosko.

Ndërsa, znj. Kerstin Zielosko, udhëheqëse e Education Unlimited falënderoi kryetarin Lladrovci për bashkëpunimin dhe organizimin e këtij kampi të rëndësishëm për nxënësit dhe mësimdhënësit, si hap i mirë i shkëmbimit të përvojave mes nxënësve të Kosovës me Gjermaninë dhe vendet e rajonit.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili falënderoi për organizimin e këtij kampi virtual, duke vlerësuar të rëndësishëm programet e tilla për arsimin në shtetin tonë.