75 Mall Live Search
19:04 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / F.R

Komuna e Drenasit paralajmëron masa për zjarret e qëllimshme dhe sabotimin e ndriçimit publik

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Drenas ka dënuar ndezjen e zjarreve, nga siç ka thënë, qytetarë të papërgjegjshëm.

Sipas Komunës, ditëve të fundit janë ndezuar disa herë qëllimisht zjarre në deponinë inerte të mbeturinave ndërsa sipas njoftimit edhe gjatë ditës së sotme është përsëritur ky akt në Qukën e Komoranit.

“Përveç zjarrvënieve, janë raportuar edhe raste të sabotimit të ndriçimit publik në disa lokalitete, përfshirë Drenasin, Komoranin, Nekocin, Tërdecin dhe Poklekun e Ri. Sipas Komunës, janë dëmtuar sensorë, janë ndërprerë sistemet elektrike, janë marrë siguresa dhe është shkaktuar kyçje e paarsyeshme e ndriçimit gjatë ditës.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë.

Tutje janë paralajmëruar edhe masa ndaj qytetarëve që shkaktojnë situata të tilla.

“Këto veprime nuk janë rastësi – ato përbëjnë dëm të drejtpërdrejtë për mjedisin dhe pasurinë publike, si dhe pengesë për mirëqenien e qytetarëve. Ne paralajmërojmë publikisht edhe një herë se të gjithë ata që qëllimisht dëmtojnë mjedisin, pasurinë publike dhe sigurinë e komunitetit, do të përballen me pasojat ligjore sipas ligjeve në fuqi.”, thuhet mes tjerash në njoftim.