Komuna e Ferizajt anulon kontratën në vlerë prej 750,000.00 euro

Komuna e Ferizajt ka anuluar kontratën “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt”, në vlerë prej 750.000.00 eurove pas reagimit publik të INPO-s, ku janë hulumtuar dhe identifikuar shkeljet ligjore në këtë aktivitet të prokurimit si edhe situata e konfliktit të interesit.
Komuna me pajtimin e plotë të operatorit ekonomik ka shkëputur kontratën, përmes një marrëveshjeje në të cilën nuk janë dhënë arsyet e shkëputjes së kontratës. Në këtë marrëveshje për shkëputjen e kontratës, thuhet se operatori ekonomik heq dorë nga çfarëdo lloj kompensimi apo dëmi që mund të jetë shkaktuar dhe heq dorë nga kontestimi në rrugë administrative dhe gjyqësore.
INPO vlerëson se heqja dorë e operatorit ekonomik nga e drejta për të kërkuar kompensim është tregues se kjo kontratë apo ky aktivitet i prokurimit qysh në iniciim është përgatitur për t’iu dhënë këtij operatori. Po ashtu, INPO në reagimin e 4 shkurtit 2021, INPO ka publikuar gjetjet e hulumtimit për të gjitha shkeljet ligjore, që janë bërë në këtë aktivitet të prokurimit.
INPO mirëpret veprimet e komunës për të evituar më tutje, keqpërdorimin e parasë publike përmes kësaj kontrate. Megjithatë, INPO vlerëson se komuna nuk guxon të mjaftohet vetëm me këtë masë, por duhet të ndërrmerr të gjitha veprimet e nevojshme që të sigurohet se shkelje të tilla, të cilat denigrojnë institucionin e komunës dhe cënojnë integritetin e saj, nuk do të përsëriten.
INPO fton kryetarin e komunës, si edhe organet e rendit që të kërkojnë llogaridhënie brenda kompetencave të tyre ligjore, ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke dhënë edhe mesazhe të qarta për të gjithë zyrtarët se veprimet e tilla janë të dënueshme dhe të patolerueshme.