22:04 / E Martë, 25 Qershor 2019 / indeksADMonline

Komuna e Gjakovës angazhon mbi 90 punonjës me kontrata mbi vepër

Ligji për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149 dhe Ligji i Punës Nr. 03/L-212 i rregullojnë çështjet e angazhimeve të punonjësve me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta (MSHV).

Angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara.

Gjatë vitit, Komuna e Gjakovës kishte angazhuar 94 punonjës përmes MSHV-ve pa zhvilluar ndonjë procedurë formale të rekrutimit, e ku një numër i tyre ishin angazhuar për mirëmbajtjen dhe sigurimin e objekteve, transmeton Indeksonline.

ZKA ka vërejtur se mungonin kërkesat apo arsyetimet për nevojën e angazhimit të punonjësve, dhe në kontrata nuk ishte përcaktuar se me cilën bazë ligjore ishin kontraktuar shërbimet.

Komuna nuk ka ofruar evidencë të saktë rreth numrit të personelit të punësuar me MSHV, pasi sipas listave të komunës numri i të angazhuarve ishte 72, derisa nga llogaria e Thesarit është vërejtur se janë paguar 94 punonjës.

Gjatë vitit 2018, nga të angazhuarit me MSHV, përmes procedurave të rekrutimit 6 ishin punësuar me kontratë të rregullt.

Po ashtu, Komuna kishte ndalur në burim dhe kishte paguar kontributet pensionale për këta punonjës, por meqenëse këta kontraktues të shërbimeve nuk janë punonjës të rregullt dhe nuk janë të përfshirë në listën e pagave, Komuna me rastin e pagesës së kompensimit mujor, nuk u kishte ndalur kontributin e paguar në emër të punëdhënësit prej 5%. Në këtë rast, kostoja mujore e pagesës për personin e angazhuar i kishte kushtuar komunës 5% më tepër se sa shuma e kontraktuar.

Angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa ndonjë kërkesë apo arsye dhe pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit vë në dyshim nevojën për këto angazhime dhe zvogëlon konkurrencën. Pagesa prej 5% nga kompensimi i përcaktuar me MSHV i ka shkaktuar Komunës kosto shtesë buxhetore.

Sipas ZKA-së, Kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave të thjeshtuara të rekrutimit për punët që konsiderohen të realizohen përmes MSHV-ve.

Nevojat për pozitat të rregullta të punës të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor, e jo të aplikohen MSHV.

Kjo formë e angazhimit të kontraktuesve të aplikohet vetëm në rastet urgjente, dhe kur kërkesat të jenë të arsyetuara nga njësitë kërkuese.

Pagesat për shërbimet e tilla nuk duhet të tejkalojnë vlerën e kontraktuar./Indeksonline/