Komuna e Gjilanit e shqetësuar me veprimet ilegale të shtetit serb brenda saj

Komiteti për Komunitete ka mbajtur sot takimin e fundit për këtë vit, nën drejtimin e Kemal Shahinit, ku është informuar për situatën e sigurisë si dhe për aktivitetet e Zyrës së linjës.
Ndryshe, edhe në takimin e sotëm të Komitetit për Komunitete, anëtari i kësaj trupe, Shefik Surdulli (PDK), e ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me veprimet ilegale të shtetit serb brenda territorit të Komunës së Gjilanit.
Më konkretisht, përmes zyrtares së Policisë së Kosovës, e cila raportoi për situatën e sigurisë në takimin e këtij komiteti, Surdulli e vuri në dijeni këtë institucion ligjzbatues, për veprimin ilegal të Zyrës së të ashtuquajturit kryetar i Komunës së Gjilanit, Sasha Millosheviq, i cili përmes aktiviteteve të tij, thirret si kryetar i përkohshëm i Komunës së Gjilanit, akt ky të cilin ai e konsideron ilegal dhe cenim të integritetit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës.
“Përderisa komunitetet pakicë në Gjilan, veçanërisht ai serb, i gëzojnë të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, veprimet e strukturave paralele, janë të pajustifikueshme dhe të papranueshme”, ka thënë Surdulli.
Këtë shqetësim, Shefik Surudulli, e ka ngritur edhe në Kuvendin Komunal, ku ai është anëtar nga radhët e PDK-së, por ka thënë se akoma nuk ka ndonjë reagim nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe as nga ato komunale.
Ndryshe, në takimin e sotëm të Komitetit…, gjendja e përgjithshme e sigurisë u vlerësua stabile.
Po ashtu, një informatë për aktivitetin e Zyrës për komunitete dhe kthim e dha shefi i saj, Milivoje Zhivkoviq.