Komuna e Gjilanit jep detaje për arrestimin e dy personave për dallavere me subvencione

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh sot ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrim me subvencione, në Gjilan, shkruan IndeksOnline.
Në fshatin Ponesh janë arrestuar dy meshkuj të cilët kishin vendosur në aplikacion për subvencione parcelën pa dëshirën e viktimës.
Kurse, nga Komuna e Gjilanit përmes një njoftimit për media kanë thënë se bëhet fjalë për një rast të izoluar në fshatin Ponesh, në mes të dy fermerëve të komunitetit serb dhe zyrtarit komunal, i cili, po ashtu, është nga komuniteti serb.
“Pas raportimeve në media për arrestimin e një zyrtari komunal nën ‘dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve’, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, njofton opinionin se sipas informative të para bëhet fjalë për një rast të izoluar në fshatin Ponesh, në mes të dy fermerëve të komunitetit serb dhe zyrtarit komunal, i cili, po ashtu, është nga komuniteti serb.
Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, është në pritje të raportit zyrtar të organeve të drejtësisë dhe sapo të merret raporti, do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/